Nuk janë të rralla rastet kur zyrtarët policorë ballafaqohen me kërcënime serioze nga qytetarë në qytete të ndryshme të Kosovës. Shpesh herë kërcënimet verbale eskalojnë edhe në sulme fizike ndaj tyre, duke ua vështirësuar punën e madje duke ua kërcënuar edhe jetën, raporton Gazeta Sinjali.
Me një kërcënim janë përballur mëngjesin e sotëm edhe disa zyrtarë policorë në Trokan të Dragashit, të cilët kanë shqiptuar një tiketë gjobe në trafik për një shofer kamionete dhe dy pasagjerët që ndodheshin aty.
Sinjali mëson se shoferi dyshohet që ka kundërshtuar që të gjobitet dhe ka tentuar t’ua marrë nga dora dokumentet policëve që po kryenin punën e tyre.
Kjo ka bërë që i dyshuari të arrestohet dhe i njëjti u shoqërua në stacion policor për intervistim, ku ka deklaruar para hetuesve se ka kërkuar që mos të shqiptohet tiketa dhe t’i kthehen dokumentet.
Me urdhër të prokurorit, ndaj tij është iniciuar rasti ‘Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare’.












