
E para e vendit, Vjosa Osmani edhe pse në fushatën e zgjedhjeve të vitit të kaluar kishte premtuar se do ta kishte prioritet shëndetësinë, ajo për një vit e gjysmë prej sa ka marrë pushtetin me Albin Kurtin, i ka kryer dy operacione, dhe që të dyja jashtë shëndetësisë publike, duke mos i besuar këtij sektori.
Derisa muaj më parë u raportua se ajo ishte operuar në Turqi, madje duke e mbajtur edhe fshehtë atë operim, gjatë ditës së djeshme ajo është operuar në një spital privat në Kosovë.
Bëhet fjalë për Spitalin “Aloka”, ku Gazeta Blic ka siguruar foto të veturave të Presidencës që janë të parkuara pranë spitalit privat
Për operimin e saj ka njoftuar edhe Presidenca, përmes një njoftimi të lëshuar për media.
Njoftimi i plotë:
Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës njofton opinionin publik se dje (2 nëntor), pas rekomandimit nga mjekët specialistë, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani i është nënshtruar një intervenimi të lehtë kirurgjik (heqja e tëmthit), i cili është realizuar me sukses. Bazuar në vlerësimin dhe vullnetin e saj, gjatë ditës së djeshme, Presidentja Osmani ka bërë bartjen e përkohshme të përgjegjësive të Presidentes së Republikës tek Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Glauk Konjufca. Nga 3 nëntori, Presidentja do të vazhdoj me ushtrimin e detyrave dhe obligimeve kushtetuese që ndërlidhen me pozitën e Presidentes së Republikës, si dhe gradualisht do t’i kthehet angazhimeve publike. Gjatë kësaj periudhe, kërkojmë mirëkuptimin e medieve për të respektuar të drejtën fundamental për privatësi të Presidentes, që është e garantuar me kushtetutë.












