Rritja e rasteve të dhunës në familje në Kosovë është bërë mjaft shqetësuese. Në të shumtën e këtyre rasteve viktima janë gratë, që përjetojnë dhunë qoftë nga bashkëshortët e tyre apo edhe familjarë të tjerë. Kështu ka ndodhur edhe para disa ditësh në rrugën “Bajram Kelmendi” në Prishtinë, për çka një person është arrestuar, raporton Sinjali.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë të ditur se gruaja, viktimë e këtij rasti e ka raportuar partnerin e saj në Polici, me pretendimet se e ka sulmuar fizikisht derisa ishte në një kafeteri bashkë me të.
Sinjali mëson se në bazë të dëshmisë të viktimës, të dhënë para hetuesve policorë është kuptuar se çifti kanë pasur probleme me njëri-tjetrin në vazhdimësi dhe për pasojë viktima ka përfunduar në strehimore.
Si rezultat i denoncimit të rastit, Policia ka dalë në vendin e ngjarjes për t’i marrë informatat e para, por i dyshuari nuk ishte kapur deri gjatë ditës së djeshme kur ka vendosur që të dorëzohet, me ç’rast ka dhënë deklaratë për rastin që dyshohet.
Ndaj tij, me urdhër të Prokurorit të Shtetit është iniciuar rasti si “Dhunë në familje” dhe është lëshuar aktvendim për ndalim prej 48 orësh.












