Kryekuvendari, Glauk Konjufca, ka konsideruar se Qeveria po mëton ta edukojë qytetarin si të kursejë rrymë në vazhdën e krizës energjetike.
Konjufca këtë e ka thënë në RTV Dukagjini, duke thënë se “Qeveria ka konsideruar se konsumi ka qenë jo krejtësisht me nevojat por ndonjëherë edhe përtej kësaj”.
“Mu ka duk që Qeveria i ka dy qëllime bazike. E para që jo me i dhanë paratë prej buxhetit të drejtpërdrejt por përmes një mekanizmi tjetër anësor që kur vjen ai mekanizëm efektiv te jeta e qytetarit, te ai me shkaktua një far sjellje tjetër nga ajo që ka qenë deri tash”, deklaroi Konjufca.
“Qeveria ka konsideruar se konsumi ka qenë jo krejtësisht me nevojat por ndonjëherë edhe përtej kësaj. Për me instalua atë disiplinim dhe racionalizim të shfrytëzimit të energjisë elektrike, qeveria më shumë e ka mbështet jo një mbulesë të drejtpërdrejtë por përmes subvencionimit”, tha më tej ai.
Disiplina e përmendur nga Konjufca përkon me një status të para disa javëve të kryeministrit të Kosovës Albin Kurti i cili iu drejtua qytetarëve duke iu dhënë vetëm 2 opsione, reduktime ose shtrenjtim të energjisë elektrike.
Pra qytetarët e Kosovës ishin para dy mundësive, të disiplinoheshin duke kursyer energjinë, ose të përballeshin me reduktime si masë ndëshkuese në rast të mosimplementimit të së parës.
“Në këtë situatë nuk ka zgjidhje të mirë: ose reduktime të energjisë, ose shtrenjtim të energjisë? Shumë më herët, Kosova është dashur të mendojë më shumë e më mirë, që të mos përfundojë në këtë gjendje të keqe”, shkruante Kurti në linja edukative në ‘Facebook’-un e tij.













