
Policia e Kosovës ka njoftuar se edhe sot ka pasur paraqitje të dorëheqjeve të punonjësve policorë të komunitetit serb në veri të vendit, raporton Veriu.info.
Përmes një komunikate për media, Policia thotë se megjithatë kanë kapacitete për menaxhimin e situatës së krijuar.
Komunikata e plotë:
Prishtinë, 6 nëntor 2022
Referuar zhvillimeve aktuale ju informojmë se edhe sot ka pasur paraqitje të dorëheqjeve të punonjësve policorë të komunitetit serb në pjesën e veriut të vendit, në zonën e drejtorisë rajonale të Mitrovicës Veri.
Njoftimet e tyre për dorëheqje janë bërë në rajonet dhe stacionet policore, ku disa prej tyre deri më tani i kanë dorëzuar pajisjet e tyre, për të vazhduar me kompletimin e procedurave tjera të parapara.
Policia e Kosovës ka kapacitete për menaxhimin e situatës dhe rrethanave të krijuara, të gjitha veprimet do ti ndërmerr konform autorizimeve ligjore dhe kushtetuese, konform vlerësimeve dhe planifikimeve operacionale, me qëllim të ruajtjes së rendit e qetësisë publike si dhe mbikëqyrjes dhe kontrollit kufitar.











