Partitë opozitare në vend kanë reaguar pas deklaratave të nënkryetarit të “Listës Serbe” Dalibor Jevtiq, se edhe serbët në jug të vendit duhet të dorëhiqen nga institucionet.
Drejtori i Informimit dhe Marrëdhënieve me Publikun në AAK, Lulzim Blaka, duke folur në lidhje me paralajmërimin e Jevtiq tha se Qeveria menjëherë duhet të realizojë kërkesën e sekretarit Blinken për shtyrjen e vendimit për targat.
“Qeveria duhet që menjëherë, pa humbur asnjë minutë, të realizojë kërkesën e sekretarit Blinken për shtyrjen e vendimit për targat, deri në Marrëveshjen Finale mes Kosovës dhe Serbisë për njohje reciproke”, tha Blaka për Gazeta Blic.
Ndërsa ish-deputetja e LDK-së, Besa Gaxherri, tha për “Gazeta Blic” se serbët e Veriut duhet të kthehen në institucione.
Gaxherri tutje i bëri thirrje Qeverisë që të respektojë ligjet dhe se të ketë koordinim me SHBA-të për çdo lëvizje.
“Ne kërkojmë që serbët në Veri të kthehen në institucionet e Republikës së Kosovës. Ne gjithashtu kërkojmë nga Qeveria të respektojë ligjet por edhe të ketë koordinim me faktorin ndërkombëtar në mënyrë të veçantë me SHBA-të për çdo lëvizje. Jo vetëm tani që është kriju kjo situatë shumë e rëndë por edhe kur kanë qenë gjerat shumë më të relaksuara, pra Qeveria kushdo që është e Republikës së Kosovës duhet të bashkpunojë me SHBA-të, në të kundërt kjo është në dëmin e Kosovës çdo ditë.” tha Gaxherri.
Nënkryetari i Listës Serbe, Dalibor Jevtiq u ka bërë thirrje edhe serbëve të jugut që të largohen nga institucionet e Kosovës, në rast se nuk ka ndryshim të qëndrimit të Qeverisë së Kosovës.
Jevtic shtoi se nëse nuk ka ndryshim të qëndrimit, edhe serbët në jug të Ibrit duhet të largohen nga institucionet e Prishtinës.
“Ky është qëndrimi im, ky është qëndrimi i kolegëve të mi. Unë personalisht e kam njoftuar me shkrim edhe kryetarin e Listës Serbe, Rakiq, se besoj se përfaqësuesit politikë të serbëve, që serbët në përgjithësi në jug të Ibrit duhet të largohen nga institucionet dhe kjo është një pyetje që është ende aktuale dhe e hapur. Nëse nuk ndryshon situata, nëse nuk ndryshon kursi dhe qëndrimi i Prishtinës zyrtare dhe nuk ndalet dhuna institucionale ndaj serbëve, jam pothuajse i sigurt se të njëjtin vendim do ta marrin edhe serbët në jug të Ibrit”, thekson Jevtiq.
Lista Serbe vendosi ditë më parë vendosi që të gjithë pjestarët e saj të largoheshin nga institucionet e Kosovës.
Ky vendim erdhi pas pas vendimit të autoriteteve të Kosovës për suspendimin e drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq, i cili ka refuzuar që të zbatojë vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave që kanë targa të lëshuara nga Serbia në RKS – Republika e Kosovës.












