
Sjellja e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, në raport me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është totalisht e papërgjegjshme.
Kështu tha analisti politik Vehbi Kajtazi, në emisionin Rubikon në Klan Kosova.
Kajtazi tha se vet ekzistenca e shtetit tonë është fal SHBA-ve.
“Ekzistenca jonë është fal Shteteve të Bashkuara të Amerikës, shteti është bërë pse kanë dashur Shtetet e Bashkuara të Amerikës, liria dhe pavarësia jonë kanë ndodhur pse kanë dashur Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me dal një kryeministër totalisht i papërgjegjshëm sikur ky i joni dhe me i sjell raportet deri në këtë pikë, ishte dashur të shqetësoheshin secili njeri që jeton në këtë vend”, tha Kajtazi në Rubikon.
Ai foli edhe rreth shtyrjes së vizitës për në Shtetet e Bashkuara të ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, si dhe ministrave të tjerë e kryetarëve të komunave.
Kajtazi tha se ky është një nga ndëshkimet e SHBA-ve për sjelljen e Qeverisë Kurti.
“Ky është ndëshkim prej të parëve nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për Qeverinë Kurti. E pata thënë njëherë që Amerika “S’është macë me të grrithë”.Këto janë masa në lidhje me padëgjueshmërinë e Qeverisë Kurti ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kualifikimi më i lehtë për mua është padëgjueshmëria. Gjithçka që është duke e bërë në këtë çështje është duke e bërë gabim. Me ndërmarrë Serbia këso hapash në raport me SHBA-të kishte me qenë normale”, tha Kajtazi.












