
Dhëndri i ministrit i Infrastrukturës, Liburn Aliut, Berat Lahu është liruar nga masa e paraburgimit, me kërkesë të Prokurorisë Themelore në Pejë, që u aprovua nga Gjykata Themelore në Pejë. Prokuroria u dorëzua para Lahut, ndaj të cilit kërkoi caktimin e masës së ndalimit për t’iu afruar vendit ose personit të caktuar, në këtë rast të pandehurve dhe dëshmitarëve të rastit ‘Brezovica’.
Këtë kërkesë, gjyqtari i procedurës paraprake e ka aprovuar sot, me ç’rast ka nxjerrë aktvendim, në bazë të së cilit Lahut i është caktuar kjo masë nga sot deri më 19 dhjetor të këtij viti.
Por cili është arsyetimi i Prokurorisë?
Sipas aktvendimit të Gjykatës, Prokuroria në propozimin për ndërprerjen e paraburgimit dhe zëvendësimin me masën e ndalimit për t’iu ofruar vendit apo personit të caktuar, ka theksuar se meqenëse është marrë në pyetje i dyshuari dhe janë siguruara provat materiale, prokuroria ka vlerësuar se edhe me një masë më të butë siç është masa e ndalimit për t’iu ofruar vendit apo personit të caktuar, do të arrihet që të parandalohet ndikimi i të pandehurit në dëshmitarë bashkëpunues, si dhe të bashkëpandehurit e tjerë, kurse arsyet ligjore për përsëritjen e veprës penale tani kanë pushuar.
Gjykata ka vlerësuar se kjo kërkesë është e bazuar, prandaj është e nevojshme që t’i vazhdohet masa e ndalimit të personit apo vendit të caktuar, pasi që ekziston rrezikut se i njëjti mund të ndikojë në të pandehurit dhe dëshmitarët që s’janë dëgjuar ende.
Pas arrestimit, ai ishte suspenduar nga funksionet brenda Lëvizjes Vetëvendosje më 23 shtator, 2022 deri në përfundimin e procesit gjyqësor ndaj tij. Lahu ishte asamblisti më i votuar i Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Prishtinës, sipas rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të fundit lokale.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.











