Njohësi i çështjeve politike, Agon Maliqi, e ka kritikuar Kryediplomaten e Kosovës për reagimin e saj të mbrëmshëm pas raportimeve se dy raketa ruse kanë rënë në territorin e Polonisë, duke lënë të vrarë dy persona.
Ai e ka quajtur reagimin e Gërvallës si impulsiv dhe të papjekur, derisa e ka pasur edhe një sugjerim për të, raporton Express.
Reagime të tilla, sipas Maliqit, rrezikojnë ta na kthejnë në objekt të përqeshjes.
“Kish qenë mirë ministrja Gërvalla nja dy herë me u mbush frymë e me numëru deri në 10 para se me shkrujt tëeet-a impulsiv dhe të papjekur që e nxisin BE-në (pse BE-në e jo NATO-n?) për ta thelluar luftën me Rusinë, e që rrezikojnë me na kthy në objekt të përqeshjes”, ka shkruar Maliqi në Twitter.
Sipas Maliqit, në një situatë të tillë, Kosova vetëm duhet ta dënojë sulmin, të shpreh solidaritet me Poloninë dhe të tregojë gatishmëri për ndihmë.
“Ministrja nuk po komunikon as si Komisionere e BE-së, as si opinioniste, & as si shtetase e Gjermanisë, por si ministre e Jashtme e Kosovës – një vend që në situatë të tillë thjesht duhet ta dënojë sulmin, të shpreh solidaritet me Poloninë & të tregojë gatishmëri për ndihmë”, ka shkruar Maliqi.












