
Aksioni ‘Fermeri’ i zhvilluar dje nga Njësiti i Antidrogës në Prizren rezultoi me sekuestrimin e një sasie të substancës heroinë dhe arrestimin e dy personave, babë e bir, që dyshohen për shitblerje dhe shpërndarje të substancave të tilla.
Gazeta Sinjali raportoi ekskluzivisht për këtë aksion, për të cilin hetimet kanë nisur që disa muaj dhe rezultuan me zbulimin e të dyshuarve.
Ndaj Albert (babai) dhe Valon (djali) Domgjonit, të cilët tashmë ndodhen nën masën e ndalimit policor, Prokuroria Themelore në Prizren ka kërkuar nga Gjykata caktimin e masës së paraburgimit, si të dyshuar për veprën “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.
Vlera e sasisë së drogës që u gjet në shtëpinë e tyre, siç mëson Sinjali kap vlerën e mbi 16 mijë eurove.
“Lidhur me rastin të cilit i referoheni, ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Prizren- Departamenti i Krimeve të Rënda, ka parashtruar kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit, kundër A.D., dhe V.D., për shkak të dyshimit të bazuar se të njëjtit kanë kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope apo analoge” nga neni 267 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë për Sinjalin.

Valoni (djali) në të majtë dhe Alberti (babai) në të djathtë
Dy të dyshuarit u kapën pasi Antidroga zbaroi në shtëpinë e tyre, në fshatin Shpenadi të Prizrenit, ku edhe u gjet droga dhe prova të tjera. Gjatë bastisjes në shtëpinë dhe objektet tjera në pronësi të tyre, që u krye nga disa njësi policore, janë gjetur qese me substanca narkotike të llojit heroinë, marihuanë, kapsula të ndryshme dhe telefona, që janë sekuestruar si dëshmi për rastin.










