
Gazeta Sinjali raportoi pak më parë për arrestimin e një 32-vjeçari nga Gurakoci i Istogut, i cili po dyshohet se i ka denoncuar rrejshëm 3 persona, me të cilët ka pasur probleme të mëhershme. Ai ka tentuar t’i ‘zgjidh’ mosmarrëveshjet duke bërë lajmërim të rremë për kanosje, çka i ka kushtuar atij me ndalim policor.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se i dyshuari për këtë rast është Valon Ramoviq, i cili u arrestua pasi Policia e zbuloi të dyshuarin dhe i njëjti e pranoi veprën me të cilën ngarkohet.
Gjithçka doli në pah derisa po ndërmerrte veprimet e nevojshme hetimore, pas denoncimit të të dyshuarit, se dikush e kishte kërcënuar para shtëpisë së tij. Në deklaratën e tij, i riu kishte kërkuar ndihmë nga Policia, pasi siç pretendonte, tre persona ia kishin thyer xhamin e veturës, ku ia kanë lënë gjoja disa fishekë.
Raportimi i të dyshuarit fillimisht aktivizoi Policinë për t’i ftuar për intervistim personat që u denoncuan, ndaj të cilëve nuk kishte dëshmi se janë përfshirë në rastin e kanosjes. Kjo bëri që Prokurori i Shtetit të urdhërojë që i dyshuari të merret sërish në deklaratë në lidhje me raportimin për kërcënim.
Gjatë intervistimit nga hetuesit policorë, i dyshuari e ka pranuar që askush nuk e ka kanosur, por motivi që e shtyri të denoncojë rastin ishin mosmarrëveshjet që ka pasur me tre këta persona më herët.
Tentativa për të zgjidhur problemet i ka kushtuar të dyshuarit, i cili është futur në telashe me ligjin. Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka lëshuar urdhër për ndalim prej 48 orësh dhe inicimin e rastit për veprën penale “Lajmërimi apo kallëzimi i rremë”.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.











