Nevoja për mbrojtje nga hakerët dhe sulmet e ndryshme kibernetike po vazhdon të jetë shumë e madhe. Raste të hyrjeve të paautorizuara në sisteme kompjuterike, me qëllim për përfitim të kundërligjshëm pasuror, apo shkaktim të dëmit, nuk janë të rralla në vendin tonë. Veprime të tillë përbëjnë vepër penale dhe sanksionohen me Kodin Penal të Kosovës, raporton Gazeta Sinjali.
Me një rast të tillë është përballur një zyrtare e Shërbimit Spitalor Klinik Universitar nga Vushtrria, e cila ia ka mësyrë të shtunën Policisë, për të denoncuar bllokimin e emailit zyrtar, të cilin e shfrytëzon për komunikim me ministritë.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se zyrtarja e SHSKUK-së (emër i njohur për redaksinë) ka raportuar para hetuesve policorë, se në llogarinë e saj në Facebook, dikush ia kishte dërguar një link, i cili më pas ia ka bllokuar llogaritë në rrjete sociale, si dhe e-mailin, në të cilin ka pasur të dhëna dhe shkresa të tjera zyrtare.
Linku që dyshohet se i nxori telashe, sipas zyrtares në fjalë i kishte ardhur para dy ditësh, ndërsa tek gjatë ditësh së djeshme ka kërkuar ndihmën e Policisë. Me t’u raportuar rasti, burimet thonë se janë marrë veprimet e nevojshme për nisjen e hetimeve, në mënyrë që të zbulohen më shumë detaje dhe të parandalohet ndonjë rast tjetër i tillë ndaj zyrtares së SHSKUK-së.
Ndryshe, kushdo që kryen këtë vepër penale, dënohet me gjobë dhe me burgim deri në (3) tre vjet.













