Anëtarët e Partisë Demokratike të Kosovës, të cilët ndihen të mënjanuar nga lidershipi i ri i partisë, kanë kritikuar udhëheqësit aktualë për qasjen e tyre ndaj Qeverisë së Kosovës, sidomos lidhur me zhvillimet në dialogun Kosovë-Serbi.
Njëri nga anëtarët e PDK-së, Nijazi Kryeziu, një ish-këshilltar i Kadri Veselit dhe ish-drejtor politik në Komunën e Prizrenit, ka kritikuar nënkryetaren Vlora Çitaku.
Në një përplasje mes tyre në rrjetet social të martën, Kryeziu e ka “gozhduar” Çitakun dhe udhëheqësit e tjerë të PDK-së. Ata i ka quajtur “personel sezonal e shoqëror që i kemi marrë me qira”.
Ndaj deklarimeve të tij ka reaguar Çitaku, duke u shprehur se PDK-në e përfaqëson ajo. “Unë jam PDK. Çka po fole Njazi?!” ka reaguar Çitaku.
Mirëpo, Kryeziu i është kundërpërgjigjur duke thënë se udhëheqëse e PDK-së do të jetë atëherë kur zgjidhet me vota.
“Tash je e emëruar për atë punë e kemi PDK-në këtu ku e kemi! Udhëheqëse zgjedhesh me vota, përmes procesit zgjedhor, kur i fiton votat në parti je shpresë që i fiton edhe në zgjedhje prej qytetarëve”, ka thënë Kryeziu.
Ai ka shtuar se me Çitakun nuk ka asgjë personale por se “procedurat demokratike” vlejnë për të gjithë.











