Që nga vikendi si pasojë e sasive të mëdha të reshjeve në Kosovë në shumë vende janë krijuar vërshime duke shkaktuar vështirësi në qarkullim për shumë qytetarë.
Madje një pjesë e tyre po përballen edhe me reduktime të ujit.
Kompanitë rajonale të Ujësjellësit të Prishtinës dhe të Mitrovicës po ankohen se nuk po munden ta lëshojnë ujin për konsum shkaku i turbullirave.
Nga këto kompani po thonë se uji po vie i turbullt nga kanalet e Ibër -Lepencit.
E nga kjo ndërmarrje thanë për Klan Kosova se kanalin të cilin e menaxhojnë është i tipit të hapur dhe se e kanë të vështirë që ta mbrojnë nga ndikimet e reshjeve.
Por, theksuan se po punojnë vazhdimisht që ditëve të ardhshme të ketë ujë sa më pak të turbullt.
“Nga reshjet e ditëve të fundit me intensitet kaq të lartë, që ka vite që nuk ka ndodhur një gjë e tillë, erdhi edhe deri te rritja e rrjedhjeve të të gjithë lumenjve/përroskave. Si pasojë patëm rritje enorme të prurjeve edhe në kanalin e ndërmarrjes “Iber lepenc”.Ekipet e ndërmarrjes hidroekonomike “Ibër-Lepenc” kanë qëndruar në terren gjithë kohën, edhe gjatë ditës së shtune dhe të diel”.
“Fillimisht si prioritet e kemi pasur mbrojtjen e aseteve tona, mbrojtjen e kanalit nga kapë derdhja, e cila do të shkaktonte dëmtim të infrastrukturës, gjegjësisht të kanalit të “Ibër Lepencit”.Falë angazhimit tonë, arritëm që ta bëjmë evakuimin e ujërave të tepërta dhe tani jemi duke u marrë me problemin e turbullirave të shkaktuara nga këto prurje të mëdha nga reshjet”.
“Shpresojmë se në ditët në vijim do të ketë rënie të turbullirave të ujit në kanalin e Ibër-Lepencit, ujë ky i papërpunuar me të cilin ne furnizojmë konsumatorët tonë.Meqenëse kanali është i tipit të hapur, është vështire që te mbrohet nga ndikimi i natyrës/të reshurave në sasi kaq të mëdha. Jemi të vetëdijshëm edhe për problemet që mund të ndodhin edhe tek ujësjellësit rajonal, dhe na vjen keq për situatën e krijuar, por ju garantojmë që jemi në përpjekje maksimale qe t’i zbusim këto ndikime”.













