Drejtori i të ashtuquajturës Zyre për Kosovën në qeverinë serbe, Petar Petkoviq, ka pretenduar se nuk ka ndonjë datë të caktuar për arritjen e marrëveshjes Kosovë-Serbi.
Ai tentoi të demantojë kryeministrin Albin Kurti, i cili pas takimit të fundit që ai pati në Bruksel me presidentin serb Vuçiq, zbuloi se marsi ishte afati i fundit në propozimin franko-gjerman, autorësinë e të cilit e ka marrë edhe zyrtarisht BE-ja, duke akuzuar kryediplomatin Josep Borrell se hoqi dorë nga ky afat që e kishin propozuar vetë.
Sipas Petkoviqit nuk ka afat për marrëveshjen e fundit, por për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe nga Kosova.
“I vetmi tik-tak që po troket është ai për formimin e Asociacionit të Komunave Serbe, me të cilin Prishtina është vonuar tashmë 10 vjet dhe prandaj Kurti do të ishte më mirë të fokusohej në përmbushjen e atij zotimi dhe në zbatimin e asaj që është nënshkruar në Bruksel. Është koha që Albin Kurti të ndalojë së mashtruari opinionin dhe të përballet me të vërtetën dhe faktet që dëshmojnë qartë se nuk ka afate të përcaktuara dhe të paracaktuara për normalizimin e marrëdhëniet ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”, ka pretenduar Petkoviq, transmeton Tanjug.
Ky reagim i Petkoviqit vjen pas deklaratës së dhënë të Kurtit për televizionin malazez “Gradski TV”, i cili tha se Kosova pret marrëveshja deri në pranverën e vitit të ardhshëm.
“Që nga 9 shtatori i këtij viti kemi një model në të cilin do të mbështetemi gjatë negociatave në të ardhmen, të cilat duhet të fillojnë menjëherë. Në fakt, thuhet se brenda pak ditësh, deri në pranverën e ardhshme, duhet të kemi një marrëveshje për normalizimin e plotë të marrëdhënieve. Ndërkohë ramë dakord që Kosova të mos vazhdojë me gjobat për veturat me targat ilegale KM dhe të tjera nga koha e sundimit të Millosheviqit. Serbia nuk do të lëshojë më targa të tilla dhe ne po u japim mundësinë, hapësirën disamujore, si masë për besimin e ndërsjellë për të arritur këtë marrëveshje, e cila është shumë e rëndësishme, jo vetëm për Kosovën dhe Serbinë, por edhe për gjithë rajonin tonë”, ka thënë Kurti.
Ndërkaq, nga Bashkimi Europian nuk është përmendur ndonjë datë përfundimtare kur Kosova dhe Serbia duhet të arrijnë marrëveshjen.
Së fundi për këtë ka folur zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, i cili tha se kjo çështje nuk është në dorën e BE-së, por iu takon palëve.
“Kur flasim për urgjencë; dita e djeshme duket tashmë tepër vonë, sepse kjo situatë vazhdon me shumë se prej 10 vjetësh dhe kjo nuk është në interes të qytetarëve të Kosovës dhe Serbisë. Në vend se të përcaktojmë një datë artificiale, ne po ndihmojmë palët, pasi janë palët që vendosin se kur do të jenë gati të arrijnë datën përfundimtare për arritjen e marrëveshjes gjithëpërfshirëse lidhur me normalizimin e marrëdhënieve midis tyre dhe për të ecur përpara. Për të ecur përpara nga metoda e menaxhimit permanent të krizës te metoda e pajtimit”- ka deklaruar Stano në një intervistë për ABCnews.al.













