Edhe një reagim i ashpër ka ardhur lidhur me prezencën e Ivica Daçiqit në Konferencën kundër Dhunës Seksuale në Konflikt (PSVI), në Londër.
Deputetja Britanike Alicia Kearns e ka quajtur të gabuar ftesën e Daçiqit për këtë konferencë, të cilit madje i është drejtuar edhe në pseudonimin “Slloba i vogël”, transmeton Reporteri.net.
“‘Sloba i vogël’, pseudonimi i Ivica Daçiqit, nuk ka kërkuar kurrë falje për krimet seksuale të luftës të regjimit për të cilin ishte propagandues”, shkruan ndër të tjera në Twtter Kearns e cila vjen nga partia konservative.

Gjatë ditës së djeshme edhe kryediplomatja kosovare, Donika Gërvallla reagoi ashpër për pjesëmarrjen e Daçiqit në Konferencën për Parandalimin e Dhunës Seksuale në Luftëra.
Gërvalla i është drejtuar të pranishmëve në konferencë me pyetjen se “çfarë kuptimi ka që Daçiç të flet në një konferencë të këtillë”.
“Ai ka qenë dora e djathtë e Sllobodan Millosheviçit nga 1992 gjer më 2000”.
Të pranishmit e kanë mbështetur me një duartrokitje të madhe.
Daçiç në këtë konferencë ka folur kundër dhunës seksuale në luftë, duke e quajtur “veçanërisht të dhimbshme dhe temë serioze, sepse është shkelje e të drejtave të njeriut”.
Gjatë luftës në Kosovë janë dhunuar mbi 20 mijë gra nga forcat okupuese ushtarake serbo-jugosllave.












