Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri në seancën e sotme të kuvendit të Kosovës ku po diskutohet për propozimin e ZRRE-së për ngritjen e çmimit të energjisë elektrike bëri disa akuza kundrejt qeverisë Kurti.
E njëra ndër to ishte edhe ajo se qeveria Kurti po paguan për shpenzimet e energjisë elektrike në veri të Kosovës.
Këtu i menjëhershëm ka qenë reagimi i kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, i cili i tha Tahirit se ky ishte një vendim që është marrë para se qeveria Kurti të vinte në pushtet.
“Moti ia keni pagu veriut rrymë” ka thënë shkurt Konjufca i cili më pas lejoi deputetin të vazhdonte fjalën e tij në kuadër të detektimit për energjinë elektrike.
Tahiri në vazhdim ka thënë se edhe subvencionet me të cilat qeveria po pretendon të ndihmojë qytetarët me faturat e fryera të rrymës, janë paratë nga xhepat e qytetarit.
Ai po ashtu ka thënë se nëse rritet çmimi i energjisë atëherë i bie që qytetarët do të paguajnë çmime të faturave si në Francë.












