Kryetari i Vushtrrisë, Ferit Idrizi ka thënë se s’ka investime kapitale nga Qeveria për vitin e ardhshëm në komunën e Vushtrrisë.
“Nuk kemi projekte. Nga Qeveria e kemi buxhetin tonë, por për Qeverinë po flas, s’kemi investime kapitale edhe pse patëm situatë të vështirë me vërshimet”.
Ai tha se iu ka bërë thirrje edhe deputetëve nga Vushtrria që janë në Kuvendin e Kosovës, derisa shtoi se pas dërgimit të kërkesave të tij në e-mail, është i gatshëm edhe të takohet me ta.
Ndërkaq, Idrizi kritikoi kryeministrin Kurti për mungesën e investimeve kapitale.
“Nuk dua të besoj që kryeministri mundet të lëshohet në koncepte partiake apo provinciale, për shkak se në zgjedhjet e shkurtit në Vushtrri ka fituar 64 përqind e votave dhe elektorati e ka në mendje këtë. Ka përgjegjësi edhe ndaj atyre, jam i bindur që kanë me mbajtë në mend çdo veprim të tij, por edhe timin”, tha Idrizi në T7.











