Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas shpërthimeve që kanë ndodhur sot gjatë ditës në veri të vendit.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebok, Kurti ka thënë se bandat kriminale të paguara nga Serbia, kanë intensifikuar sulmet në veri të vendit.
Sipas tij, do të ketë hetime e ndjekje të kriminelëve që dirigjohen nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, teksa shton se me doemos do ketë prezencë të shtuar të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës në komunat me shumicë serbe.
“Bandat kriminale kanë intensifikuar sulmet në veri të Kosovës. Ato e dinë se po ju vie fundi. Qeveria e Kosovës as s’bën pazare me to dhe as s’i duron ato. Bombat që hedhin, plumbat që shkrepin dhe maskat që vendosin janë pafuqia e tyre politike e popullore. Me këto krime e sulme të armatosura në veri të Ibrit, doemos do të kemi më shumë polici të Kosovës atje”, shkroi ai.
Postimi i plotë
Bandat kriminale kanë intensifikuar sulmet në veri të Kosovës. Ato e dinë se po ju vie fundi. Qeveria e Kosovës as s’bën pazare me to dhe as s’i duron ato. Bombat që hedhin, plumbat që shkrepin dhe maskat që vendosin janë pafuqia e tyre politike e popullore. Me këto krime e sulme të armatosura në veri të Ibrit, doemos do të kemi më shumë polici të Kosovës atje. Sepse do të ketë hetime e ndjekje të këtyre kriminelëve, që paguhen nga Serbia e dirigjohen nga presidenti i saj. Shkeljet e shumta të ligjit nuk do të falen kurse tendencat për destabilizim kriminal do të dështojnë. Në katër komunat në veri nuk është ndarja në serbë e shqiptarë, por në banda kriminale dhe qytetarë. Kërkoj nga të gjithë qytetarët e Kosovës që të mbështesin shtetin dhe policinë e Kosovës, të gjithë zyrtarët tanë që po mbrojnë kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë, republikën dhe demokracinë.













