Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, i ka dënuar sulmet ndaj Policisë së Kosovës dhe EULEX-it.
Hovenier ka thënë se sulmet ndaj Policisë së Kosovës dhe personelit ndërkombëtar të sigurisë janë të papranueshme dhe se autorët duhet të japin përgjegjësi para drejtësisë së Kosovës.
“SHBA i bashkohet #EULEX-it në dënimin e fuqishëm të sulmit ndaj një patrulle të EULEXIT, mbrëmë. Sulmet e dhunshme ndaj Policisë së Kosovës dhe personelit ndërkombëtar të sigurisë janë të papranueshme dhe autorët duhet mbajtur përgjegjës përmes sistemit kosovar të drejtësisë”, ka shkruar Hovenier.
Ndryshe, EULEX ka njoftuar se ndaj një patrulle vëzhguese të tyre në Rudare është hedhur një bombë çorientuese (shok-bombë), nga e cila nuk ka lëndime në njerëz e as dëme materiale.
EULEX në komunikatën dërguar mediave thekson se ky sulm dhe sulmet e tjera ndaj zyrtarëve policorë të Policisë së Kosovës, janë të papranueshme.
“Ne i dënojmë fuqishëm aktet e dhunshme të kryera nga persona të armatosur në pjesën veriore të Kosovës, përfshirë kundër komunitetit ndërkombëtar”, thuhet në reagimin e tyre.












