
Radio Evropa e Lirë, media e afërt me ShBA-të, sonte në mbrëmje ka treguar në pika të trasha se çka përmban plani franko-gjerman.
Plani franko-gjerman i cili ka gjetur mbështetjen e Francës, Gjermanisë dhe Shteteve të Bashkuara u është dhënë Kosovës dhe Serbisë qysh në fund të verës.
Sipas këtij plani, të paktën ashtu siç edhe e ka siguruar media në fjalë, nuk përmban njohje reciproke, por është shumë afër njohjes.
Disa nga pikat e tij, bëhet e ditur se janë të drejta të barabarta Kosovës dhe Serbisë, respektim i integritetit territorial, paprekshmëri e kufijve, njohje e simboleve shtetërore dhe një aranzhim i veçantë për komunitetin serb në Kosovë janë elementet kyçe të një propozimi të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.
“Në dokument nuk përmendet njohja e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë apo anëtarësimi i Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara – për të cilat gjëra insistojnë publikisht zyrtarët kosovarë – por theksohet mbështetja që palët duhet t’i japin njëra-tjetrës në procesin e integrimeve evropiane. Nga Serbia, po ashtu, kërkohet që të mos e pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare”.
Siç shton tutje mediumi respektiv, propozimi i BE-së thotë se, sa i përket “nivelit përkatës të vetëqeverisjes” për serbët e Kosovës, “të dyja palët obligohen që të vendosin aranzhime të posaçme dhe garanci në përputhje me instrumentet relevante të Këshillit të Evropës, duke u bazuar në përvojat ekzistuese evropiane”.
Sipas dokumentit, palët do të duhej të rrisnin bashkëpunimin në disa fusha, përfshirë: ekonominë, shkencën, teknologjinë, transportin, drejtësinë, postën dhe telekomin, shëndetësinë, kulturën, religjionin, sportin dhe mjedisin.
Burimet e gazetës gjegjëse nga Brukseli kanë bërë të ditur se palët tashë kanë marrë edhe versionin e ri, i cili i ka disa ndryshime, që sipas tyre ato nuk janë thelbësore dhe se elementet kryesore për marrëveshjen bazë, mbeten të njëjta.
“Propozimi i ka dhjetë pika dhe nëse palët pajtohen me të, ai do të hapë rrugën për vazhdimin e dialogut drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, ligjërisht obliguese. Në dokument nënvizohet se nëse palët pajtohen me të, ato do të jenë të vetëdijshme se moscenimi i kufijve, respektimi i integritetit territorial dhe sovranitetit, si dhe mbrojtja e pakicave janë kushtet bazë për paqe. Aty, po ashtu, nënvizohet se të dyja palët do të kenë si pikënisje qëllimin dhe parimet e vendosura në Kartën e Kombeve të Bashkuara, posaçërisht respektimin e pavarësisë, autonomisë, integritetit territorial dhe të së drejtës për vetëvendosje, si dhe ruajtjen e të drejtave të njeriut dhe mosdiskriminimin”, thuhet tutje.
Veç kësaj, ata kanë bërë të ditur se sipas propozimit, palët do të zhvillonin marrëdhënie të mira fqinjësore mes vete, duke u bazuar në të drejtat e barabarta, si dhe do t’i njihnin simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë pasaportat, targat e veturave, diplomat dhe vulat doganore.
Të gjitha mospajtimet, sipas këtij propozimi, Kosova dhe Serbia do t’i zgjidhnin me mjete paqësore, duke u përmbajtur nga kërcënimet apo përdorimi i forcës.
Në këtë plan gjithashtu përmendet edhe rregullimi i statusit të Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë, si dhe aranzhimet për komunitetin serb në Kosovë.
Plani franko-gjerman, mësohet se nuk e përmend në mënyrë të drejtpërdrejtë krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, por vë theksin mbi zbatimin e të gjitha obligimeve që kanë marrë palët, deri më tash, në dialogun e tyre për normalizimin e marrëdhënieve.
Dokumenti gjithashtu përmend bashkëpunimin për çështjen e të pagjeturve nga lufta e viteve 1998/99 dhe të drejtat e personave të zhvendosur.
Në fund, parashihet edhe krijimi i komisioneve të përbashkëta për të monitoruar zbatimin e vetë propozimit të BE-së.












