
Eksperti i sigurisë, Agim Musliu, ka publikuar ballinat e mediave serbe ndër vite, të cilat të njëjtat kanë shkruar për liderët e Kosovës, se duan luftë, raporton Gazeta Blic.
Derisa më herët kishin shkruar për Thaçin, Haradinajn e Veselin, tani kanë shkruar për Kurtin.
Ai përmes një postimi në Facebook, ka thënë se Serbia e lufton cilindo Qeveri të Republikës së Kosovës, sepse e lufton Republikën e Kosovës.
Musliu ka shtuar se serbët bëjnë propagandë mediale që financohet nga Serbia e Rusia dhe kanë për qëllim ta destabilizojnë Kosovën.
Postimi i tij i plotë:
Shumica e mediave të Serbisë, të cilat kontrollohen nga Aleksandar Vuçiqi, janë të “varfër” në kreativitet.
Titujt e tyre nuk ndryshojnë aspak. Mund të ndryshojnë njerëzit të cilët i sulmojnë/targetojnë. Esenca mbetet e njëjtë: KURTI, HARADINAJ, THAÇI, VESELI DUAN LUFTË.
E datat? Datat i vënë varësisht se kush është në Kosovë në pushtet!
Kjo rrjedh nga Memorandumi i Dytë i Akademisë së Shkencave të Serbisë, pjesë të të cilit janë publikuar.
Njëra nga pikat e këtij Memorandumi është: “Sulmimi i qeverive të vendeve fqinje (të Serbisë), me moton QEVERI E DOBËT – SHTET I DOBËT!
Pra, shqiptarët ta dinë se, Serbia e lufton cilindo Qeveri të Republikës së Kosovës, sepse e lufton Republikën e Kosovës.
Serbët e kanë “orkestrën” e propagandës mediale që financohet jo vetëm nga Serbia, por edhe nga Rusia, vetëm e vetëm që ta destabilizojnë Kosovën, por edhe më gjerë – Malin e Zi, Bosnjën, Maqedoninë, Kroacinë.
E gjitha kjo bazohet në shpifje, rrenë e fabrikime!











