
Sot, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për ta proceduar në Kuvendin e Kosovës shpalljen e kompanisë “Moxico Luma Kosova Mining L. L. C.” – investitor strategjik i Kosovës, raporton Gazeta Online Veriu.info.
“Shqyrtimi i propozim-vendimit për konfirmimin e vullnetit të Qeverisë së Kosovës për t’i proceduar Kuvendit të Kosovës të vendimin e Qeverisë Nr. 13/50 të datës 21 dhjetor 2020 për dhënien e Statusit të Investitorit Strategjik për subjektin investues ‘Moxico Luma Kosova Mining L.L.C’”, thuhej në propozim-vendimin e qeverisë.
Kapitali i investimit strategjik është 45 milionë e 80 mijë e 383 euro, për një periudhë pesë vjeçare, ndërsa investimi do të realizohet në fshatrat Gumnishtë, Vllahi dhe Karaqë të komunave Mitrovicë dhe Vushtrri.
Por çfarë saktësisht parasheh ky propozim – vendim i miratuar fillimisht në vitin 2020 në qeverinë Haradinaj dhe tash nga qeveria Kurti.
Në vitin 2020 ministri i Tregtisë dhe Industrisë Vesel Krasniqi kishte dhënë detaje të investimeve nga kjo kompani.
Sipas tij ky projekt në vete do të ngërthejë nxjerrje, studime të ndryshme të pasurive nëntokësore që gjenden në komunën e Vushtrrisë dhe të Mitrovicës, njëkohësisht projekti do të implikojë një numër të konsiderueshëm të ekspertëve vendorë dhe ndërkombëtar.
“Përfitimin e statusit të investitorit strategjik në periudhën afatmesme 2021-2025, ”MEXICO LUMA KOSOVA MINING.L.L.C.”, si investitor strategjik do të implementojë projektin si në vijim: projektin i cili në vete do të ngërthejë nxjerrje, studime të ndryshme të pasurive nëntokësore që gjenden në komunën e Vushtrrisë dhe të Mitrovicës, njëkohësisht projekti do të implikojë një numër të konsiderueshëm të ekspertëve vendorë dhe ndërkombëtar… ”MEXICO LUMA KOSOVA MINING.L.L.C.” në vlerë prej 45 milionë e 80 mijë e 383 euro… do të përfshijë në vete edhe sistemin arsimor, një bashkëpunim të ngushtë do ta ketë edhe me Universitetin e Mitrovicës dhe komunat përkatëse. Faktor kyç i projektit është që shumica e lëndëve së përpunuara do të eksportohen, gjë që do të ngrejë edhe ekonominë e vendit dhe eksportin”, kishte thënë ministri i Tregtisë dhe Industrisë Vese Krasniqi./VERIU.INFO/












