
Besim Zymberi, ish i burgosur politik ka rrëfyer përjetimet e tij në burgun e Dubravës si i mbijetuar i masakrës në këtë burg famëkeq ku u torturuan e u vranë shumë shqiptarë gjatë okupimit serb në Kosovë.
Në emisionin “n’Demos” Zymberi ka rrëfyer tmerrin në këtë burg duke folur për kohën kur u bombardua nga forcat serbe.
“Kur na dërguan nga Gjilani në burgun e Dubravës, 20 vetë na vendosën në një dhomë dhe natyrisht deri më 19 maj ishim në një izolim të plotë, ajo që e dinim ishte se do të na vrisnin, e bënim lutje që ajo të ndodhte pa dhimbje të mëdha. Kur ndodhi sulmi me 19 maj, ne dolëm nga ai objekt, edhe pse ndodhi sulmi, ne nuk mund të dilnim për kulmi, erdhën të burgosurit tjerë dhe na i hapën dyert, pas 6 vjetësh aty e pash Bajrush Xhemajlin, e pash mikun tim Rasim Selmanjan, kur i sheh njeriu këta persona të shtonte më shumë motiv për të vazhduar më pas, si Bajrushi e Rasimi ishin me tërë familje të involvuar në çështjen kombëtare”, ka thënë ai.
Siç thotë Zymberi, të gjitha kushtet ishin përmbushur nga serbët, që masakra në burgun e Dubravës, t’u vishej UÇK-së.
“Në maj të vitit 1998, të gjithë të burgosurit janë transferuar në burgjet serbe, gjoja për sigurinë e tyre nga UÇK, ata na larguan në emër të sigurisë, ndërsa na kthyen më 30 prill të 1999. Të gjitha radiolidhjet e shumë armatim ishin të vendosura në Burgun e Dubravës, pas një kohe gardianët i thyen degët e qershisë, ne menduam se këta po e përgatisnin një masakër, e që t’u linin të tjerëve fajin, gjoja ka ndodhur sulmi nga ajri. Për 4 ditë ajo që ka ndodhur ajo ka qenë e tmerrshme, për katër ditë e katër netë kemi qëndruar në mesin e shumë kufomave, shokë, familjarë e kështu me radhë, ajo çfarë mund të bënim ishte renditja e mbulimi i tyre. Brenda atyre katër ditëve ne kemi bërë një organizim që vdekjen ta përjetonim në mënyrë të dinjitetshme e jo pa një rezistencë, për arsye se prej 19 maji forcat serbe nuk hynin në oborrin e burgut, shumë prej tyre ishin të maskuar. Ka pasur shumë të plagosur, të cilët jemi kujdesur për ta e që tash janë gjallë, një far Agim Thaçin e kam pa pa kafkë, e ia kam pa trutë përjashta, ai sot është gjallë”, kujton Zymberi.












