Mosmarrëveshjet lidhur me çështje të ndryshme, shpesh herë shkaktojnë telashe të mëdha mes qytetarëve. Përpos konflikteve verbale, ata me raste eskalojnë edhe në fyerje, ofendime e kërcënime serioze mes njëri-tjetrit.
Për një rast të tillë që ka ndodhur sot në mesditë në Mitrovicë, ka nisur hetimet Prokuroria.
Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se viktimë në këtë rast është menaxheri i pastiqerisë ‘Missini Sweets’, të cilin e ka zënë sherri me ish-punëtorin e kësaj kompanie.
Ky i fundit dyshohet se ka nisur mesazhe me përmbajtje kërcënuese në telefonin e 26-vjeçarit, të cilin e ka kërcënuar seriozisht duke i thënë ‘kam me të pre’.
Për shkak të shqetësimit që ia shkaktuan këto mesazhe, viktima është detyruar që rastin ta denoncojë në Polici, ku ka rrëfyer se motiv i kësaj zënke është denoncimi që e kishte bërë për të dyshuarin më parë.
Njësitë policore kanë marrë të gjitha veprimet hetimore që ndihmojnë në lokalizimin e vendndodhjes të të dyshuarit.
Me urdhër të prokurorit, rasti është iniciuar ‘Kanosje’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren posa të kapet i dyshuari.
Ndërkohë Sinjali ka provuar të kontaktojë me menaxhmentin e ‘Missini’, mirëpo të njëjtit nuk kanë dhënë përgjigje lidhur me rastin.













