Sot bëhen 16 ditë nga vendosja e barrikadave në Veri të Kosovës, teksa ende gjendja mbetet e njëjtë. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dje në konferencë për media paralajmëroi se pas Krishtlindjeve pritet të takohet me komandantin e KFOR’it për të sqaruar situatën.
Ai tha se KFOR’i ka kërkuar pak kohë dhe ekzekutivi kosovar i ka dhënë këtë kohë, mirëpo siç ka theksuar ai nuk ka liri të lëvizjes meqë barrikadat në veri po e pengojnë atë.
Grupe të qytetarëve serbë në veri ngritën barrikada qysh më 10 dhjetor, për të kundërshtuar arrestimin e ish-policit serb nga Policia e Kosovës, Dejan Pantic.
“KFOR’i ka kërkuar pak kohë. Por, sot, (24 dhjetor) janë bërë dy javë që nga vendosja e 11 barrikada në veri të lumit Ibër, që po pengojnë lirinë e lëvizjes”, tha Kurti.
Për shkak se barrikadat kanë bllokuar rrugët që çojnë drejt pikëkalimeve kufitare, Jarinjë dhe Bërnjak, që lidhin Kosovën dhe Serbinë këto dy pika janë mbyllur për qarkullim.
Më 22 dhjetor, ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se nëse KFOR’i nuk vepron, Kosova do t’i heq barrikadat.
Në të njëjtën ditë, kreu i Listës Serbe, Goran Rakic, paraqiti kushtet për heqjen e barrikadave gjatë një proteste në Rudarë.
Ai kërkoi që paraprakisht të lirohen serbët e arrestuar, të tërhiqen “listat sekrete për arrestimin dhe pushkatimin e serbëve” dhe të tërhiqen njësitë speciale të Policisë së Kosovës nga veriu. /gazetametro.net













