
Mësimi në shkollën fillore “Bislim Imeri” në Kçiq të Madh të Mitrovicës u ndërpre ditën e premte. Procesi mësimor vazhdoi vetëm deri në ora 10:00, gjersa nxënësit e ndërrimit të pasdites nuk mbajtën mësim fare, mëson “Mitropol” nga burimet e veta.
Shkak për ndërprerjen e mësimit dyshohet të ketë qenë një zënkë verbale mes ushtureses së detyrës së drejtoreshës së shkollës, Ardita Brahimi dhe mësimdhënëses Sala Hasani.
Kjo zënkë siç mëson “Mitropol” erdhi pas peticionit të nënshkruar nga arsimtarët e shkollës për shkarkimin e u.d drejtoreshës në fjalë të dorëzuar në Drejtorinë e Arsimit, pasi këta të parët siç thanë disa dëshmitarë për “Mitropol” vlerësojnë se emërimi i Brahimit në këtë detyrë ishte politik i shtyrë nga PDK dhe po tentohet që e njejta të emërohet drejtoreshë në këtë shkollë ku ushtron detyrën. E kjo pastaj bëri që drejtoresha të konfrontohej me arsimtaren në fjalë.
Por, duket se përkundër arsimtarëve, drejtoresha gëzon mbështetjen e bashkëfshatarëve të saj nga Kçiqi.
Një faqe në Facebook me emrin Kçiq i Madh duke u thirrur në emër të Këshillit Prindëror të shkollës ka njoftuar se nesër paradite nga ota 11:00 do protestojnë në ballkonin e shkollës kundër arsimtarëve, të cilët ai po i akuzon se e ndërprenë mësimin në mënyrë të organizuar.












