Një rast mjaft të rëndë ka ndodhur të hënën në fshatin Kuk të Dragashit, ku ka vdekur një grua e cila që një kohë ishte viktimë e dhunës në familje. Vdekja e gruas 67-vjeçare Sahime Domuzet, është cilësuar e dyshimtë për shkak të rasteve të dhunës që ishin raportuar më parë, gjë që alarmoi Policinë.
Ndaj saj po dyshohen se kanë ushtruar dhunë kunata dhe nipi i saj, por për këtë rast nuk ka pasur urdhër mbrojtës. Kështu ka njoftuar Policia, që doli me komunikatë në lidhje me këtë rast.
E ndjera nuk ka pasur fëmijë, ka qenë e martuar për 15 vite por pas vdekjes se bashkëshortit është kthyer në familjen e vëllait për të jetuar. Pas vdekjes së vëllait për të janë kujdesuar kunata (gruaja e vëllait) dhe nipi.
Sipas aktakuzës së siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, e cila rezulton të jetë ngritur më 21 dhjetor 2022, thuhet se më 8 nëntor 2922, në fshatin Kuk, Komuna e Dragashit, saktësisht në shtëpinë e tyre të përbashkët, të pandehurit N.A dhe J.A., në bashkëveprim me njëri-tjetrin, kryejnë dhunë psiqike, me qëllim të cenimit të dinjitetit të personit tjetër brenda një marrëdhënie familjare- të dëmtuarës/kunatës dhe hallës S.D.
Aktakuza thotë se në ditën kritike, të pandehurit e nxjerrin nga shtëpia të dëmtuarën, e cila ishte e moshuar dhe me probleme mendore, duke e dërguar për të qëndruar në një pjesë të oborrit (qilar), e kështu i shkaktojnë të njëjtës shqetësim emocional.
Me këto veprime, N.A dhe J.A., ngarkohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Dhuna në familje” nga neni 248, par.2 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal.
Ndryshe, S.D u gjet pa shenja jete të hënën në fshatin Kuk të Dragashit, ndërsa rasti është hapur si vdekje e dyshimtë.
Kurse, Prokuroria Themelore në Prizren, njofton se prokurori ka autorizuar policinë për ndërmarrjen e veprimeve të tjera hetimore.
Po ashtu, Policia përmes një komunikate ka njoftuar se ka qenë një rast i hapur i dhunës në familje, ndërsa theksohet se nuk ka ndonjë të dyshuar apo të arrestuar lidhur me rastin.











