
Tashmë kur është rritur numri i pacientëve me COVID-19 në të gjitha spitalet e Kosovës, pacientët e spitalit të Mitrovicës po përballen me mungesë të barnave esenciale, raporton Gazeta Online Veriu.info.
Lexuesit e Veriu.info kanë raportuar në adresë të gazetës se po detyrohen të furnizohen vet me barnat esenciale për pacientët me COVID-19, Fraxiparine dhe NaCl.
Këto dy barna përdoren për pacientët me COVID-19, NaCl për infuzione dhe Fraxiparine për tëhollimin e gjakut.
Një gjë e tillë është konfirmuar edhe nga drejtoresha e Spitalit të Mitrovicës, Luljeta Zhubi.
Ajo për veriu.info ka thënë se mungesa e Heparines në dializë ka bërë që një pjesë e Fraxiparines të orientohet në këtë repart.
“Ne kemi sasi të Fraxiparines por mungesa e heparinës në repartin e Dializës ka bërë që një pjesë të fraxiparines ta orientojmë andej andaj kemi mungesë në repartet tjera, dhe disa pacientë po duhet që të furnizohen vet”- ka thënë Zhubi për veriu.info.
Zhubi ka thënë se kanë edhe mungesë të NaCl dhe se pritet gjatë javês së ardhshme të furnizohen.












