Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka thënë se BE-ja e dënon ashpër plagosjen që ka ndodhur në Shtërpcë gjatë pasdites së të premtes. Stano ka thënë se është e rëndësishme që institucionet e Kosovës të bëjnë një hetim të plotë për këtë krim të neveritshëm dhe që drejtësia të vihet në vend.
Ai ka uruar shërim sa më të shpejtë për dy të plagosurit, njëri fëmijë dhe tjetri një burrë i ri.
“BE dënon fuqishëm plagosjen e një fëmije dhe një të riu në Kosovë dje. Është e rëndësishme që autoritetet të hetojnë plotësisht këtë krim të neveritshëm dhe drejtësia të vendoset. I urojmë viktimave shërim të plotë dhe të shpejtë”, ka shkruar Stano.
Kujtojmë se njëri nga të plagosurit është 11-vjeç dhe tjetri 21. Policia e Kosovës ka bërë të ditur se e ka arrestuar një person dhe se është konfiskuar arma me të cilin është kryer vepra.
Ndërkaq, menjëherë pas këtij incidenti banorët e këtij fshati kanë bllokuar rrugën në shenjë proteste duke vendosur goma.












