Qytetarët shpesh herë përballen drejtpërdrejtë me personat e dyshuar në rastet e vjedhjeve e grabitjeve ndaj tyre, ku përpos dëmeve e humbjeve materiale që pësojnë u rrezikohet edhe jeta. E të dyshuarit në shumë raste arrijnë që të ikin për një kohë nga duart e Policisë.
Kështu kishte vepruar edhe të hënën e 19 dhjetorit një i ri në Prishtinë, i cili nën kërcënimin e armës ia kishte grabitur një të mituri telefonin e tipit iPhone 13 Pro Max.
Sinjali mëson se bëhet fjalë për 22-vjeçarin, Egzon Brahimi, i cili ani pse u identifikua menjëherë pas kryerjes së veprës, u arrit që të arrestohej tek mbrëmë.
Brahimit që po kërkohej nga Gjykata për disa vepra penale, gjatë kontrollit trupor Policia i ka gjetur dhe sekuestruar një sasi të substancës së dyshuar narkotike të llojit marihuanë dhe një thikë.
Pas arrestimit, i riu është shoqëruar në stacion policor për intervistim dhe me urdhër të prokurorit ndaj tij kanë nisur hetimet për tri vepra penale ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, ‘Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge’ dhe ‘Grabitje’.
Pas përfundimit të procedurave policore, Brahimi është dërguar në mbajtje.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.













