Situata energjetike në vend pritet të përkeqësohet gjatë javëve në vijim. Si afat për këtë, Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli e ka dhënë fundin e muajit shkurt dhe marsin, kur ftohet moti e rritet konsumi, rrjedhimisht edhe nevoja për import. Por, Rizvanolli ka thënë se kjo s’do të thotë se do të ketë reduktime. Ndërkohë, nga KEK vazhdojnë të mos deklarohen për kapacitetet prodhuese.
Dimri i vërtetë për kosovarët pritet të fillojë në fund të muajit shkurt. Përveç uljes së temperaturave, mund të përkeqësohet edhe situata energjetike, si pasojë e rritjes së konsumit e edhe nevojës për import. Rrjedhimisht pritet të ketë edhe shtrenjtim të çmimit të energjisë.
Për këtë arsye, Qeveria e Kosovës ka miratuar në mbledhjen e sotme vazhdimin e masave emergjente për furnizimin me energji elektrike.
Kryeministri Albin Kurti tha se duke marrë parasysh se mund të ketë përkeqësim të situatës energjetike, si dhe çmimet e importit të energjisë mund të shënojnë ngritje gjatë këtij muaji dhe muajve në vijim, Ministria e Ekonomisë ka propozuar këto masa.
Masat u prezantuan nga Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, e cila deklaroi se mund të ndërmerren edhe masa të tjera, varësisht situatës.
“Duke qenë se furnizimi me energji elektrike vazhdon të ketë rrisqe të lidhura me rritjen eventuale që pritet gjatë fundit të muajit shkurt dhe muajit mars veçanërisht me ftohjen e motit në gjithë Evropën. Propozojmë masat e emergjencës në furnizim me energji ku ndër të tjera ndalohet përdorimi i energjisë elektrike për mihjen e kriptovalutave, obligohen institucionet si KEDS, KOSTT, Ministria e Ekonomisë të marrin masa të veçanta për siguri të furnizimit. Masa shtesë do të ndërmerren sipas nevojës dhe rekomandimeve të Komitetit Teknik Emergjent, siç parashihet me ligj dhe udhëzimin administrativ”, deklaroi Rizvanolli.
Për këtë çështje, Rizvanolli u deklarua edhe në konferencë për media. Ministrja tha se javët në vijim janë kritike, por shtoi se “kjo nuk do të thotë që do të kemi reduktime”.
“Vendosëm masat emergjente për furnizim me energji, duke qenë se situata me furnizim me energji pritet që të përkeqësohet gjatë javëve në vijim, duke marrë parasysh uljen e temperaturave në të gjithë Evropën. Po hyjmë në javë dhe muaj kritikë të dimrit. Kjo nuk do të thotë që do të kemi reduktime… Nuk jam duke e thënë këtë”, tha Rizvanolli.
Ajo theksoi se çmimet e energjisë elektrike në tregjet europiane “pritet të rriten” dhe se “konsumi pritet të rritet gjithashtu”.
“Kështu që po hyjmë në një fazë ku duhet të kemi edhe më shumë kujdes për kursim të energjisë, gjë që do të ndikojë në uljen e importit, në uljen e kostos së sistemit, si dhe në ruajtjen e buxhetit të shtetit”, tha Rizvanolli.
Sa është çmimi i energjisë aktualisht?
Nevojat e Kosovës për energji elektrike i tejkalojnë kapacitetet e prodhimit, sidomos gjatë dimrit.
Kosova ka kapacitet të prodhojë rreth 800 megavat në orë, kurse nevojat e saj, në ditë dimri, arrijnë deri në 1.300 megavat në orë. Këtë diferencë, ajo zakonisht e importon nga jashtë.
Çmimi i energjisë në bursën hungareze (HUPX), prej ku blen edhe Kosova, sot është 144 euro. Por, çmimi po ndryshon shumë shpejt.
P.sh të shtunën, çmimi ishte 174 euro, derisa të dielën ra në 101 euro. Menjëherë të hënën, pati shtrenjtim, duke shkuar në 1140 euro.
KEK heshtë për gjendjen e kapaciteteve prodhuese
Koorporata Energjetike e Kosovës vazhdon të hesht lidhur me gjendjen e blloqeve prodhuese.
Nga mesi i nëntorit të vitit 2022, KEK s’ka dalë me një njoftim për blloqet që janë në funksion apo energjinë që është duke u prodhuar.
Nga kjo ndërmarrje s’i janë përgjigjur as interesimit të gazetës për të marrë informacione për kapacitetet prodhuese. Ani pse pyetjet janë përcjellë disa herë në adresë të KEK, përgjigje s’kanë kthyer asnjëherë.
Gazeta Express ka raportuar në fund të muajin nëntor se disa ekspertë gjermanë do të vinin në Kosovë për të zgjidhur problemet me bllokun A-5 të Termocentralit Kosova A.
Për angazhimin e tyre, ishin ndarë 53 mijë euro.
“Angazhimi i eksperteve për dhënien e rekomandimeve për aftësimin e bllokut A5”, ishte titulli i kontratës që i është dhënë kompanisë gjermane “DSD Poëer Technologies GmbH”, përmes procedurës së negociuar.
Por, edhe pse janë bërë mbi një muaj nga dhënia e kontratës, ende s’dihet nëse ekspertët kanë ardhur apo çfarë ka ndodhur me këtë bllok, meqë nga KEK s’kanë kthyer përgjigje.
Njoftimi i fundit nga kjo ndërmarrje për blloqe, ka qenë më 14 nëntor të vitit të kaluar, kur ishte njoftuar se ka përfunduar me sukses revizioni i njësisë B-2.
“Korporata Energjetike e Kosovës njofton opinionin se falë organizimit të menaxhmentit dhe angazhimit maksimal të punëtorëve të TCB-së, është arritur që të kryhen me sukses të gjitha punët e parapara sipas planit të revizionit të njësisë B-2 në TC Kosova B. Për më tepër, njësia B – 2 ka përfunduar revizionin (e planifikuar 8 ditorë) 3 ditë më herët dhe është kthyer në operim me dt. 12.11.2022 në ora 21:40”, thuhej në atë njoftim./Gazeta Express












