Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka përkujtuar gazetarin e ndjerë, Enver Maloku, në 24 vjetorin e vrasjes së tij.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Abdixhiku ka thënë se Maloku ishte një patriot model i orëve më të rënda të Kosovës, teksa ka bashkëngjitur edhe fotografi nga homazhet e bëra të varri i tij.
“Nderuam Enver Malokun, në 24 vjetorin e e vrasjes së tij. Ai ishte një gazetar vetëmohues, një ëndërrimtar i lirisë, një intelektual i pashoq, një adhurues i shkrimit, rokut, e vet shpirtit kulturor të shoqërisë sonë – ishte një patriot model i orëve më të rënda të Kosovës. Mbi të gjitha, ishte bartës i dritares informuese në lëvizjen më të madhe nacionale për liri, pavarësi e demokraci”, shkroi ai.
Kreu i LDK-së tha se rrugëtimi i Malokut drejt lirisë u ndërpre në gjysmë, por ëndrra e nisur nga ai vazhdon të mbetet udhërrëfim për ne.
Enver Maloku ishte kreu i Qendrës Informative të Kosovës dhe u vra më 11 janar 1999, në një kohë kur situata ishte mjaft e rënduar nga lufta.
Ai u qëllua për vdekje pak metra prej banesës së tij në përdhese të një blloku banesash në Breg të Diellit, në sytë e gruas dhe të fëmijëve, teksa ndërroi jetë pak minuta më vonë në spitalin e Prishtinës.
Më 4 prill 2016, presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, e ka dekoruar Enver Malokun me Urdhrin “Hero i Kosovës”, për kontributin e tij në lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Presidenti historik i Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova për kontributin e tij në shtetndërtimin e Kosovës, e ka dekoruar Enver Malokun me Urdhrin “Medalja e Artë e Pavarësisë”.
Gjithashtu, presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, e ka dekoruar Enver Malokun me Medaljen “Urdhri i Artë i Shqiponjës”.
Me iniciativë dhe nën Patronatin e presidentit Rugova, për ta nderuar veprimtarinë e tij, më 12 korrik 2005 në Prishtinë, në vendin ku është vrarë, Enver Malokut i është ngritur një monument.
Për nder të veprimtarisë së tij të pashoq, shumë rrugë e shkolla në Kosovë mbajnë emrin “Enver Maloku”.












