Ka shumë raste kur gratë kosovare nuk ‘shpëtojnë’ nga problemet edhe pse zgjedhin që të shkurorëzohen e të ndajnë rrugët me bashkëshortët e tyre, të cilët u shkaktojnë telashe. Edhe pas ndarjes, shumë nga ta nuk i lënë rehat ish-partneret e tyre.
Një rast i tillë është raportuar dje në Prishtinë, ku një burrë dyshohet se përmes thirrjeve telefonike dhe mesazheve, ka kërcënuar ish bashkëshorten e tij.
Sinjali mëson se denoncimi i gruas ka bërë që Policia të aktivizohet për ta gjetur dhe arrestuar 58-vjeçarin.
I dyshuari është gjetur në një hotel në lagjen Dardania dhe i njëjti është shoqëruar në stacion, ku gjatë intervistimit ka pranuar se ka kërcënuar viktimën.
Me urdhër të prokurorit, ai është dërguar në mbajtje dhe do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.












