Nuk dihen arsyet, ose së paku nuk janë bërë të ditura nga DKRS e komunës së Mitrovicës, por për herë të parë shtyhet konkursi për çmimin “Kadri Kadriu” në nder të piktorit që u vra në marsin e vitit 1999 në Mitrovicë, raporton Gazeta Online Veriu.info.
Që nga viti 2010 kur me vendim të Kuvendit të Komunës u themelua ky çmim për krijuesit e artit figurativ, ka qenë praktikë që çmimi të ipet në nëntor, që shënon muajin e lavdisë së kombit shqiptar, më saktësisht 28 nëntor.
Por për herë të parë nuk u dha në nëntorin e vitit të kaluar, por është vendosur që të shpallet konkursi në fillim të këtij viti.
Drejtoresha e DKRS në komunën e Mitrovicës, Valdete Idrizi, ja ka humbur kuptimin çmimit me shtyerje të panevojshme, duke e zhvendosur nga nëntori në shkurt.
Idrizi sot përmes një vendimi ka shpallur konkurs për çmimin “Kadri Kadriu” që do të jetë i hapur nga 23 janari deri më 3 shkurt.
Mbetet e çuditshme zhvendosja e çmimit nga 28 nëntori në muajin shkurt.













