Nuk janë të rralla rastet kur zyrtarët policorë ballafaqohen me kërcënime serioze nga qytetarë në qytete të ndryshme të Kosovës. Shpesh herë pakënaqësitë e tyre kalojnë në kërcënime, duke ua vështirësuar kështu punën e madje duke ua kërcënuar edhe jetën
E pakënaqësitë për gjobat e shqiptuara në trafik janë një ndër arsyet kryesore që shtyjnë qytetarët të bëjnë veprime agresive ndaj zyrtarëve policorë. Një rast i tillë ka ndodhur paraditen e sotme në rrugën ‘Eliot Engel’ në Pejë.
Sinjali mëson se zyrtarët policorë që po patrullonin në atë zonë kanë shqiptuar një tiketë për kundërvajtje në trafik ndaj 30-vjeçarit, i cili në shenjë revolte ka bërë veprime agresive duke goditur me shqelm veturën e Policisë.
Kjo ka bërë që i dyshuari të arrestohet dhe të shoqërohet në stacion policor, ku ka vazhduar me kërcënime ndaj policëve që e gjobitën, duke u thënë se do shihen pasi të dalin nga stacioni.
Si rezultat i kësaj, Prokurori i shtetit ka urdhëruar që ndaj 30-vjeçarit të caktohet masa e ndalimit policor dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Kanosje ndaj personit zyrtar’.












