Sot është mbajtur mbledhja e Komitetit për Politikë dhe Financa në Komunën e Mitrovicës, ku u miratuan disa pika të rendit të ditës për mbledhjen e radhës të Kuvendit Komunal.
Në mesin e pikave të miratuara ishin edhe propozim-vendimi për këmbimin e pronës së paluajtshme të Komunës me pronën e paluajtshme në pronësi të personit fizik Enis Hakaj; Propozim-vendim për këmbimin e pronës së paluajtshme të Komunës me pronën e paluajtshme në pronësi të personit fizik Ali Emini; Propozim-vendim për këmbimin e pronës së paluajtshme të Komunës me pronën e paluajtshme në pronësi të personit fizik Gëzim Mikullovci.
Veriu info ka arritur t’i siguroj dokumentet e propozim-vendimeve për këmbimin e këtyre, të bëra nga kryetari i Mitrovicës, Bedri Hamza, ku thuhet se qëllimi i këmbimit të tyre është hapja e rrugës “Ali Zeneli”.
Burime të Veriu info nga komuna e Mitrovicës, bëjnë të ditur se propozimi i kryetarit Hamza nuk është i mjaftueshëm për hapjen e rrugës “Ali Zeneli”, pasi që mësohet se janë të paktën edhe tre prona tjera në të njëjtën zonë që duhet të këmbehen për t’u hapur kjo rrugës në segmentin përballë xhamisë, e që çuditërisht nuk është bërë propozim për këmbimin e tyre.
Në dokumentet e siguruara nga Veriu info shihet se komuna do të këmbej pronën e saj 93m2 me pronën e personit privat Enis Hakaj me sipërfaqe prej 93m2.
Prona tjetër komunale që do të këmbehet është në sipëtfaqe prej 115m2, e cila do të këmbëhet me pronën e personit fizik Gëzim Mikullovci me sipërfaqe prej 115m2.
Prona e tretë komunale që do të këmbehet është në sipërfaqe prej 249m2, e cila do të këmbehet me pronën e personit privat Ali Emini në sipërfaqe prej 249m2.
Në dokumentet e siguruara nga Veriu info, shihet se në propozim vendimet e kryetarit Bedri Hamza gjenden edhe fotografitë e pronave të Gëzim Mikullovcit dhe Ali Eminit, por që aty nuk ka fotografi të pronës së Enis Hakajt. Se për çfarë arsye nuk është prezantuar fotografia e pronës së tij sot në Komitetin për Politikë e Financa, deri më tash nuk dihet.
Veriu info do të vazhdojë ta monitoroj rastin e këmbimit eventual të këtyre pronave komunale.

















