Mbrëmjen e 20 janarit në rrugën “Shaban Polluzha” në Tavnik të Mitrovicës pati të shtëna me armë zjarri, ku nga një veturë në lëvizje dikush sulmoi me armë zjarri në drejtim të një 27-vjeçari. Ndonëse të dyshuarit kishin cak të riun, atë s’arritën ta qëllojnë dhe tentuan të ikin. Policia iu vu në ndjekje veturës së të dyshuarve, njërin prej të cilëve arriti ta kap. Por pas disa ditësh në arrati, është dorëzuar edhe i dyshuari i dytë.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se bëhet fjalë për Berat Salihun, i cili është paraqitur në Polici gjatë ditës së djeshme, me ç’rast ka dorëzuar edhe armën që posedon.
Salihu bashkë me të dyshuarin Valdrin Jashari, e kanë sulmuar viktimën me armë, derisa i njëjti ishte në veturën e parkuar para shtëpisë së tij.
Motivet e rastit janë akoma të panjohura, por ajo që dihet është se Prokurori i Shtetit ka urdhëruar nisjen e hetimeve dhe ndërmarrjen e veprimeve që çojnë në ndriçimin e rastit.
I dyshuari që u dorëzua të mërkurën është intervistuar nga hetuesit policorë dhe më pas ndaj tij Prokurori ka nxjerrë aktvendim për ndalim, për veprën penale “Vrasje në tentativë”.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.












