Komiteti për Politikë dhe Financa i komunës së Mitrovicës para pak ditësh ka miratuar disa pika të rendit të ditës për mbledhjen e radhës së Kuvendit komunal.
Në mesin e pikave të miratuara ishin edhe propozim-vendimi për këmbimin e pronës së paluajtshme të Komunës me pronën e paluajtshme në pronësi të personit fizik Enis Hakaj; Propozim-vendim për këmbimin e pronës së paluajtshme të Komunës me pronën e paluajtshme në pronësi të personit fizik Ali Emini; Propozim-vendim për këmbimin e pronës së paluajtshme të Komunës me pronën e paluajtshme në pronësi të personit fizik Gëzim Mikullovci.
Gazeta Online Veriu.info mëson nga burimet e saj se njëri nga pronarët e pronave që pritet të këmbehen me prona komunale, ka lidhje familjare me njërin nga zyrtarët e lartë politik të komunës së Mitrovicës.
Veriu info ka arritur t’i siguroj dokumentet e propozim-vendimeve për këmbimin e këtyre, të bëra nga kryetari i Mitrovicës, Bedri Hamza, ku thuhet se qëllimi i këmbimit të tyre është hapja e rrugës “Ali Zeneli”.
Burime të Veriu info nga komuna e Mitrovicës, bëjnë të ditur se propozimi i kryetarit Hamza nuk është i mjaftueshëm për hapjen e rrugës “Ali Zeneli”, pasi që mësohet se janë të paktën edhe tre prona tjera në të njëjtën zonë që duhet të këmbehen për t’u hapur kjo rrugës në segmentin përballë xhamisë, e që çuditërisht nuk është bërë propozim për këmbimin e tyre.















