Gjuajtjet me armë zjarri janë bërë të shpeshta në vendin tonë, duke cenuar kështu sigurinë e qytetarëve të cilët ka rast kur mund t’u rrezikohet jeta si pasojë e plumbave qorr.
Kështu ka ndodhur gjatë ditës së djeshme në rrugën ‘Gjilani’ në Veternik, ku persona të panjohur kanë shtënë në ajër me armë zjarri.
Sinjali mëson se nga kjo e ka pësuar një lokal që ndodhet aty pranë, pasi që plumbi qorr ka goditur xhamin e lokalit, duke shkaktuar kështu dëme materiale.
Njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes ku kanë kontaktuar me pronarin e lokalit, sipas të cilit dëmet kapin vlerën e rreth 500 eurove.
Momentalisht nuk ka persona të dyshuar, mirëpo janë marrë të gjitha veprimet hetimore që ndihmojnë në zbardhjen e rrethanave të rastit.
Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren varësisht nga zhvillimi i hetimeve.













