Drejtori i Gazetës Insajderi, Parim Olluri, në një postim në Facebook, duke ironizuar ka thënë se emisari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, po “qesh” me Kurtin dhe rrethin e tij derisa ata mundohen t’i bindin qytetarët se nuk po nënshkruajnë “Zajednicës e Isa Mustafës” por një Zajdenicë “të mirë”.
“Forte keshet Escobari kah t’i kallezojne qysh po perpeliten Kurti dhe rrethi i tij me bind popullin qe nuk po e nenshkruajne Zajednicen e Ises, po nja tjeter. Nje Zajednice te mire. Edhe Isa Mustafa keshet forte me kete perpelitje. Nejse, dekem tuj keshe edhe na populli”, ka shkruar Olluri.
Kujtojmë që edhe ish-kryeministri Mustafa, gjatë një interviste në RTK, ka rikujtuar kohën kur vendimi për nënshkrimin e demarkacionit me Malin e Zi dhe Asociacionin e komunave me shumicë serbe ishte kundërshtuar ashpër nga VV-ja.
Ai tha se tani që Lëvizja Vetëvendosje është në pushtet, kauza e demarkacionit është harruar dhe se të njëjtën gjë do ta bëjnë edhe me Asociacionin që sipas tij do ta pranojnë.
“Kurrkush nuk po e përmend më demarkacionin apo 8.200 hektarë që thonin se i kemi humbur me Malin e Zi. Asgjë nuk ka ndodhur. Njëjtë do të bëjnë edhe me Asociacionin. E kanë rrejt vetin se ka marrëveshje me presidentin e Malit të Zi dhe atij të Kosovës se do të ketë rishënim të vijës kufitare. Asgjë nuk ndodhi prej asaj. Tash as nuk e përmendin”, tha ai.











