
Sonte në orët e mbrëmjes ka rënë në prangat e policisë një zyrtar policor, me gradën rreshter në stacionin policor në Pejë, i cili dyshohet se është përfshirë në aktivitete të kundërligjshme.
Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë të ditur se polici që u arrestua sonte është Gani Lajçi.
Për arrestimin e tij njoftoi Inspektorati Policor i Kosovës. Nga IPK kanë bërë të ditur se përveç arrestimit, kanë kryer edhe bastisje në Pejë, me ç’rast janë gjetur dhe sekuestruar prova të ndryshme.
IPK gjithashtu ka njoftuar se kishin pranuar informacione para një muaji se Lajçi mund të jetë i përfshirë në aktivitete të kundërligjshme.
“Bazuar në këto informacione, hetuesit e IPK-së në koordinim me prokurorin kompetent filluan të ndërmarrin veprime hetimore/operative ndaj zyrtarit policor“, njofton IPK.
Ndaj të dyshuarit, me vendim të prokurorit, është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.












