Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka ngritur sot aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë kundër 11 personave me inicialet L.B., B.S., A.K., V.B., A.P., K.K., F.C., A.M., G.I., D.R., dhe E.C.
Ata akuzohen për veprat penale “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe “detyrim”, ka bërë të ditur Prokuroria Speciale në një njoftim për media të premten.
Po ashtu, ndaj një të pandehuri, me inicialet A.P, është ngritur aktakuzë edhe për veprën penale “Deklarimet e rreme”.
Rasti ndërlidhet me hedhjet e grantave të dorës në lokalet “Riza hair Sallon” në Prishtinë, përkatësisht “Missini” në Mitrovicë, vitin e kaluar.
“Rasti ka të bëjë veprat penale të kryera gjatë muajit qershor të vitit 2022, në Prishtinë dhe në Mitrovicë, ku kemi pas hedhje të mjeteve shpërthyese – granatave të dorës në lokalet e “Riza hair Sallon” në Prishtinë dhe në Lokalin “Missini”, në Mitrovicë, ku pas një pune intensive hetimore të Prokurorisë Speciale, është arritur deri tek zbulimi i kryerësve të veprave penale të lartcekura, si dhe, arrestimi i tyre”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.













