Zyra e Prokurorit të Specializuar ka publikuar aktakuzën e redaktuar ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqit.
Në pikën e 46 të aktakuzës, Zyra e Prokurorit ka pretenduar se rreth datës 20 shtator të vitit 1998, Hashim Thaçi dhe Rexhep Selimi, ishin të pranishëm në arrestimin e 13 anëtarëve të një delegacioni që kishin shkuar për vizitë humanitare në Qirez.
Në aktakuzë përshkruhet se Sabit Geci, në prezencë të Thaçit kishte thënë se do të vriste një pjesëtar të delegacionit.
Sipas aktakuzës, të arrestuarit u rrahën dhe më pas u morën në pyetje nga Hashim Thaçi dhe Sabit Geci, duke iu kërkuar që të heqin dorë nga Ibrahim Rugova dhe LDK, duke u tërhequr nga funksionet parlamentare.
Poashtu, pretendohet se Hashim Thaçi i kishte thënë njërit nga pjesëtarët e delegacionit që edhe po është i lirë tani, mund ta vrasin në Prishtinë.












