Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hisen Berisha, në një prononcim për Gazeta Blic është deklaruar për shqetësimet e Ambasadës Amerikane në Prishtinë, lidhur me kundërshtimin e planit evropian nga partitë opozitare PDK e LDK.
Ai përmend diskutimin e organizuar nga ambasada që thotë se PDK aty e ka dhënë qëndrimin publik përmes përfaqësuesit të tij, teksa shton se nuk mbështesin plan që nuk e ka njohjen, detyrimin e Serbisë për ndryshimin e Kushtetutës e njohjen nga pesë vendet e BE-së.
“Ambasada amerikane e ka organizuar zyrtarisht edhe publikisht një diskutim rreth një draft statuti të asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë. PDK aty e ka pas përfaqësuesin edhe jemi përfshi me qëndrimin tonë, i cili është tashmë publik. Nuk mbështesim çfarëdo plani që nuk e ka në pikën një: Njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia; Detyrimin e Serbisë me ndryshu kushtetutën; Vendosjen e marrëdhënieve ndërshtetërore vetëm në nivel diplomatesh, kjo prejudikon reciprocitetin; dhe Njohjen nga pesëshja evropiane”, thotë ai.
Sipas Berishës, edhe ambasadori amerikan është deklaruar se SHBA nuk i kërkojnë asnjëherë Kosovës të themelojnë diçka që është në kundërshtim me vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
“Besoj se është në harmoni me atë çfarë ka deklaruar edhe vet SHT Ambasadori amerikan z. Hovenier, rreth kësaj teme Hovenier: ShBA nuk i ka kërkuar asnjëherë Kosovës që të themelojë diçka që është në kundërshtim me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015”, shprehet deputeti.Berisha përmend edhe deklaratën e BE-së.
“Në unison me ketë është edhe BE me qëndrimin e deklaruar përmes zëdhënësit, z. Peter Stano: Ketë marrëveshje e duan vetëm Kurti e Vuçiq. Partneret e Kosovës, NATO e SHBA, nuk njohin marrëveshje të tillë, në dëm të Kosovës”.
Tutje, deputeti i PDK-së, vlerëson se Serbia me përkëdheljet ndërkombëtare në dialog me Kosovën, po e dëmtojnë këtë të fundit dhe po e favorizojnë atë e interesat ruse në rajon.
“Pas takimit të G20, ku sekretari amerikan i shtetit z. Anthony Blinken i kërkoi Sergei Lavrov që Rusia të mos pezullojë, siç ka paralajmëruar, traktatin e ri START për kufizimin e armëve bërthamore, dhe qëndrimit kërcënues refuzues të Rusisë e Kinës, bota është direkt në Luftën e Tretë Botërore, ndonëse mund të mos shpallet kurrë si luftë e tretë, por vetëm pala që e fiton. Kjo rrethanë e re e sigurisë ndërkombëtare, e bën edhe më të rrezikshme Serbinë me përkëdheljet ndërkombëtare që po i bëhen në negociatat me Kosovën, në dëm të kësaj të fundit dhe duke e favorizuar Serbinë dhe interesat ruse në rajon”, thekson Berisha për Gazeta Blic.Ai përmend edhe deklaratën e ambasadorit gjerman për kundërshtimin e një Republike Serbe në Kosovë.
“Në ketë rrethanë, ka reflektuar ndryshe po ashtu, edhe diplomacia gjermane, po i referohem qëndrimit medial të Ambasadorit gjerman në Kosovë SHT z. Rohde, i cili thotë se “vendet e QUINT-it, kemi thënë hapur dhe në mënyrë krejt të qartë si partnerë dhe miq të ngushtë të Kosovës, e kemi bërë të qartë atë çfarë nuk duam dhe çfarë nuk mund të ndodhë, e kjo është një “Republikë serbe” në tokën e Kosovës. Kjo pra, është diçka që as mund të merret me mend dhe larg çdo parashikimi””, potencon deputeti.Ai shtron pyetje për ambasadorin amerikan se çka i duhet qëndrimi i opozitës për këtë marrëveshje, derisa VV i ka numrat për ta votuar atë në Kuvend.
“Sa i përket planit franko-gjerman, Kurti e ka pranuar deklarativisht. Por, para se ambasadori ta shtyjë opozitën, duhet ta dijë se LVV e ka shumicën e mjaftueshme për ta kaluar këtë marrëveshje. Ç’iu dashka shkëlqesisë ambasador qëndrimi i opozitës, shtrohet pyetja për ambasadën amerikane. Zyrtarë të diplomacisë amerikane kanë bërë publike se qëndrimi i tyre është normalizimi dhe arritja e marrëveshjes përfundimtare, ku Serbia e Kosova do ta njihnin njëra-tjetrën. Nëse kjo ka ndryshuar, ata duhet sqaruar së pari kombin amerikan për ndryshimin e kursit të diplomacisë karshi Kosovës, e tek pastaj të kërkojnë nga opozita shqiptare të mbytet politikisht pas qëndrimeve të neokomunistëve jugonostalgjik, qe administrojnë të gjithë pushtetin aktual në Republikën e Kosovës”, deklaron Hisen Berisha./Gazeta Blic/













