
Një incident ka ndodhur mbrëmjen e sontme në veri të vendit, më saktësisht në fshatin Banjë ku policia e Kosovës ka sinjalizuar për ndalim një veturë e cila nuk ka respektuar urdhrin policor, dhe zyrtari policor u detyrua të përdor armën e zjarrit për të mbrojtur jetën e tij dhe të kolegëve, raporton Gazeta Online Veriu.info.
Veriu.info ka mësuar nga burimet e saj se vetura e tipit audi përmes rrugëve ilegale ka kaluar kufirin dhe ka hyrë në Serbi.
Policia e Kosovës ka njoftuar se ka ndaluar dy vetura tjera në atë lokacion dhe që dyshohet se ndërlidhen me rastin.
Veriu.info mëson se nga personat e ndaluar është edhe një biznesmen kosovar, i cili merret me ndërtim të banesave në veri. Ai është duke u marrë momentalisht në pyetje nga policia me dyshimin eventual se ka lidhje me serbët që kanë ikur. I njëjti mësohet se ka precedent penal.
Njoftimi i plotë policor:
Informacion lidhur me angazhimet e Policisë së Kosovë në rajonin e Mitrovicës veri
Prishtinë, 9 mars 2023
Më datë 9 mars 2023, rreth orës 19:20, përderisa njësia policore e Policisë së Kosovës ndodhej në pikë kontrolli në fshatin Banje në një rrugë ilegale, duke realizuar detyrat dhe autorizimet e saj ligjore në garantimin e sigurisë, aty ka ardhur/qarkulluar një automjet xhip i tipit audi.
Zyrtarët policor në pikë kontrolli sipas procedurave kanë sinjalizuar automjetin me bateri që të ndaloj për kontroll rutinor, por personi i dyshuar (drejtuesi i automjetit) posa ka vërejtur zyrtarët policor të cilët e kanë sinjalizuar për ndalim, ka rritur shpejtësinë për të ikur nga ndalimi duke rrezikuar drejtpërdrejt jetën e zyrtarëve policor, përderisa njëri nga zyrtarët policor me qëllim të shmangies së rrezikut të drejtpërdrejt për jetën e tij dhe zyrtarëve tjerë policor është detyruar që të përdor armën e zjarrit.
Automjeti i dyshuar me shpejtësi është larguar nga vendi i ngjarjes përmes rrugëve ilegale, përderisa njësitet policore janë duke ndërmarr veprime operative dhe hetimore për identifikimin dhe arrestimin e personit/ve të dyshuar të përfshirë në këtë rast.
Si vazhdimësi e hetimit gjatë realizimit të detyrave policore, njësitë relevante policore kanë ndaluar dy automjete tjera të cilat kanë ardhë në atë lokacion, e që dyshohet se mund të ndërlidhen me veturën e dyshuar, në te cilat vetura gjendeshin pesë persona, të cilët janë dërguar në stacion policor për intervistim dhe procedura të mëtejme në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë.
Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe autorizimeve ligjore në parandalimin e veprave kriminale, ndërmarrjen e masave rigoroze ndaj secilit individ apo grup kriminal që cenon rendin, sigurinë apo rrezikon jetën e zyrtarëve policor që po punojnë natë e ditë për të garantuar sigurinë e qytetarëve tanë në tërë territorin e Republikës së Kosovës.









