Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Kramon, pret që takimi i kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq më 18 mars në Ohër të përmbyllet me marrëveshje, duke shtuar se Asociacioni është një pikë shumë e rëndësishme e Marrëveshjes së Brukselit që nuk guxon të refuzohet.
“Shpresoj të shohim edhe nënshkrime. Kjo marrëveshje do të ishte një hap i madh përpara për të dyja vendet, e veçanërisht për Kosovën në kuadër të integrimeve evropiane”, tha Von Kramon.
Ajo shtoi se propozimi, veçanërisht për Kosovën, është një hap i madh përpara, sa i përket “njohjes si shtet sovran”.
E pyetur nëse plani evropian përmban njohje de fakto nga Serbia, ajo tha se është “njohje për dokumente zyrtare, shenja, pasaporta dhe diploma”.
“Kjo gjithashtu do të thotë se Serbia duhet të ndalojë fushatën për tërheqjen e njohjeve të Kosovës dhe se Kosova mund të aplikojë për anëtarësim në të gjitha organizatat ndërkombëtare dhe kjo është shumë e rëndësishme. Në këtë moment, të gjithë ekspertët pajtohen se ky është një hap i madh për Kosovën”, tha Von Kramon.
Sa i përket pesë vendeve të Bashkimit Evropian që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, Von Kramon ka theksuar se nuk mund të jetë 100 për qind e sigurt nëse ato vende do të ndryshojnë qëndrimin e tyre pas arritjes së marrëveshjes eventuale, por nëse Serbia do t’i njihte të gjitha dokumentet e Kosovës, atëherë, sipas saj, nuk do të kishte asnjë pengesë që asnjë vend tjetër ta njohë pavarësinë e Kosovës.
“Sigurisht që është shumë e vështirë të thuash diçka të tillë me bindje të plotë. Ajo që kam dëgjuar nga ata që kanë negociuar nga të dyja palët është se është shumë e mundur dhe se të paktën nuk ka asnjë pengesë ligjore në këtë drejtim. Nëse Serbia de fakto i njeh të gjitha dokumentet e Kosovës, atëherë nuk do të kishte asnjë pengesë që asnjë shtet tjetër ta njohë Kosovën. Nuk kam folur me qeveritë e atyre vendeve, por e shoh si një lëvizje shumë të madhe”, tha Von Kramon.
Duke folur për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, ajo tha se “BE nuk do të lejojë një Republikë Srpska të re”.
“Edhe në BE ka modele të ndryshme dhe asnjëri prej tyre nuk është i ngjashëm me Republikën Srpska sepse nuk është në interesin tonë të krijojmë një organ tjetër si “Republika Srpska” dhe kjo është e sigurt. Çfarë u kemi ofruar partive në Kosovë është diçka që nuk mund të çojë në asnjë përçarje apo ndarje”, theksoi Von Kramon.
Ajo tha se i takon Qeverisë së Kosovës që të vendosë për modelin e Asociacionit dhe se është e rëndësishme të mos refuzohet ajo pikë sepse është një nga pikat e rëndësishme dhe është pjesë e Marrëveshjes së Brukselit të vitit 2013 dhe 2015./FrontOnline












