Shefja e GP të VV-së, Mimoza Kusari Lila, pas mbledhjes së kryesisë ka folur për marrëveshjen e Ohrit.
Ajo tha se ende nuk janë takuar me kryeministrin Kurti si GP dhe se do ta bëjnë në ditët në vijim, teksa shtoi se Kurti do të raportojë dhe para deputetëve.
“Takimi ka ndodhur me fundjavë. Takim si GP me kryeministrin do të kemi gjatë ditëve në vijim, ndërsa që kryeministri Kurti do t’i drejtohet edhe Kuvendit për marrëveshjen të enjten, në seancën që do të mbahet nga ora 10:00”, tha ajo.
Pasi Serbia nuk ka nënshkruar marrëveshje, shefja e GP të VV-së tha se i mbetet ndërmjetësuesve BE-së dhe SHBA-ve që të merren me të për zbatimin e marrëveshjes.
“Do të varet shumë nga qasja e ndërmjetësit, BE-së dhe SHBA-ve, pasi Serbia nuk ka nënshkruar, dhe sipas Borrell këto pika do të jenë të kapitullit 35 për Serbinë për anëtarësimin në BE dhe kjo është garancia e vetme që nëse nuk zbatohen nga Serbia, do të ndalet krejtësisht procesi i anëtarësimit”, deklaroi Kusari Lila.
Sa i përket asociacionit, ajo tha se qëndrimi është i qartë dhe se nuk do të ketë asnjë kompetencë ekzekutive.
“Kosova në të gjitha instancat e shtetformimit ka të drejta tepër të avancuara të komunitetit serb. Sa i përket asociacionit, qëndrimi ka qenë i qartë që të jetë vetëm në përputhje me kushtetutën dhe të mos ketë asnjë kompetencë ekzekutive”, tha Kusari Lila./Gazeta Blic/













