Lista Serbe ka thënë se vendimi i saj për të mos marrë pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat në veri të Kosovës është “si pasojë e dhunës së vazhdueshme institucionale të ushtruar ndaj popullit serb nga regjimi i Albin Kurtit, duke privuar serbët nga të gjitha të drejtat”.
“Dhe mbi të gjitha edhe nga mospërmbushja e kërkesave tona të qarta për të cilat u larguam nga institucionet e Kosovës e që është formimi i AKS-së dhe tërheqja e të gjitha forcave speciale nga veriu i Kosovës e M. Në dy vjetët e fundit, regjimi antiserb i Albin Kurtit ua mohoi serbëve në Kosovë e M. të drejtën e votës në zgjedhje dhe referendume, ndaloi vaksinimin kundër koronavirusit dhe pengoi dërgimin e barnave e furnizimeve mjekësore, arrestoi, persekutoi e akuzoi serbët pa asnjë provë”, ka shkruar Lista Serbe.
Lista Serbe ka përmendur edhe emërimin e Nenad Rashiqit në postin e ministrisë për Kthim dhe Komunitete.
“Duhet thekzsuar se Albin Kurti e tregoi qëndrimin ndaj popullit serb duke emëruar serbët besnikë si Nenad Rashiqin për ministër, edhepse nuk ka përkrahjen nga qytetarët”, thuhet nga Lista Serbe.
Ndryshe, Kurti ka kërkuar nga Bashkimi Evropian që të dënojnë shtetin serb pasi Lista Serbe shkeli marrëveshjen.
Përmes një statusi në Twitter, kreu i ekzekutivit ka theksuar se Lista Serbe refuzoi të marrë pjesë të zgjedhjet lokale në 4 komunat veriore, e cila është një shenjë e kontrollit të Beogradit mbi partinë.
“Lista Serbe refuzoi të marrë pjesë në zgjedhjet lokale në 4 komunat veriore të 🇽🇰 këtë prill. Kjo është një shenjë e qartë e kontrollit të Beogradit mbi partinë dhe ndërhyrjes së vazhdueshme në punët e brendshme të 🇽🇰. BE-ja duhet të dënojë këtë shkelje të shpejtë të Marrëveshjes Themelore”, ka shkruar Kurti.













