Gazetari dhe opinionisti Valon Syla ka thënë se nga sot atij që i vjen fatura e rrymës mbi 300 euro, kurrë më nuk do ta votojë Vetëvendosjen (VV).
Syla ka folur për vendimin që mori sot Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) për vendosjen e bllokut tarifor në 800 kilovat për konsumatorët e energjisë elektrike në Kosovë.
Ai tha se me këtë vendim, kryeministri Albin Kurti dhe partia e tij kanë humbur 10 përqind të votuesve.
Opinionisti Syla tha se qytetarët që rrinë ndër batanije dhe ata që do të paguajnë rrymë mbi 300 euro, nuk do ta votojnë më Lëvizjen Vetëvendosje.
“Albin Kurti sonte i ka humbur deri në 10 përqind me kërtë vendim Ai që hin ndër qebe dhe atij që i vie fatura e rrymës 320 euro dije që ai më kurrë Vetëvendosjen nuk ka me e votu. Deri tash VV ka qenë në rënie në lirë, tash jeni në topogan”, ka thënë Syla.
Bordi i ZRRE ka miratuar tarifat e reja të energjisë elektrike për të gjithë ata që harxhojnë më shumë se 800kWh.
Sipas ZRrE’së, të gjithë konsumatorët që shpenzojmë më shumë se kjo bllok tarifë do të paguajnë me dy çmime të reja.
“Vendosja e bllok tarifave nuk është diskriminues. Disa nga komentet kanë qenë se a duhet të jetë rritje lineare. ZRrE-ja konstaton se pa një mbështetje nuk mund t’i arrij synimet. ZRrE propozon që blloku të zhvendoset në 800kWh, me dy tarifa prej 12.5 cent dhe 5.9 cent. Të gjithë konsumatorët komercial dhe të amvisëritë, ZRrE-ja propozon që për 800kWh të ketë zero rritje”, është thënë nga Departamenti i Tarifave të ZRrE’së.
Pra, konsumatorët mbi këtë bllok do të kenë tarifën e lartë prej 12.5 cent dhe 5.9 cent për tarifën e ulët, ndërsa ata që shpenzojnë deri në 800kWh, tarifa e lartë do të jetë 6.75 cent e ajo e ulëta prej 2.89 cent.
Pas vendimit të ri të Bordit të ZRrE’së del se tash konsumatorët që harxhojnë mbi këtë nivel, sipas tarifës së ulët, do të paguajnë 104 për qind më shumë, kurse me tarifën e lartë do të paguajnë 85 për qind.
Nga data 1 tetor deri më 31 mars, në Kosovë aplikohet tarifa e ulët e rrymës, prej orës 22:00 deri në 07:00. Ndërsa, nga data 1 prill deri më 30 shtator, tarifa e ulët vlen nga ora 23:00 deri në 08:00.












